Universiteti "ALDENT"

Kriteret e pranimit në Universitetin “Aldent” për vitin akademik 2019-2020

Kriteret e pranimit të studentëve për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë si dhe të programeve të integruara të ciklit të dytë për vitin akademik 2019-2020 në Universitetin “Aldent”, të jenë si më poshtë:

1-Për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë si dhe të programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 2019-2020 nota mesatare e pranimit do t’i referohet Vendimit të Këshillit të Ministrave;

2-Në përllogaritjen e pikëve përqindja e notës mesatare të shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore të jetë në masën 60 %, ndërsa përqindja e notës mesatare të gruplëndëve (për të gjitha vitet ku shtrihen lëndët), të përzgjedhura nga fakultetet për çdo program studimi, të jetë në masën 40% (sipas tabelës bashkëngjitur);

3- Për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 2018-2019, sipas përcaktimeve të Udhëzimit nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë , në institucionet e arsimit të lartë” të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dokumenti i njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht të jetë ndëmjet nivelit B1 dhe nivelit C1;

Shënim: Duke qenë se Universiteti “Aldent” ofron programe studimi vetëm me profil mjekësor, senati akademik vendosi që kriteret e pranimit të jenë të njëjta për kandidatët që aplikojnë për programet e studimit ‘Bachelor” dhe programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve për vitin akademik 2019-2020.

Bashkëngjitur është tabela e kritereve të pranimit për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë, të programeve të integruara si dhe të ciklit të dytë të studimeve për vitin akademik 2019-2020.

 

 

Kriteret e pranimit të studentëve  për programet e studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 2019-2020 në Universitetin “Aldent”, të jenë si më poshtë:

–  Kandidatët që aplikojnë për programet e studimit të ciklit të dytë duhet të kenë përfunduar studimet në ciklin e parë të studimeve me kohëzgjatje të paktën 3- vjeçare (180 ECTS) në Republikën e Shqipërisë ose ekuivalente me të jashtë vendit (e njohur në Republikën e Shqipërisë).

–  Kandidati duhet të ketë notë mesatare mbi 6 (shtatë) për të gjithë periudhën e studimit. Llogaritja e notës mesatare do të bëhet nga Sekretaria Mësimore dhe do të konfirmohet nga një komision i posaçëm i ngritur me vendim të Dekanit të Fakultetit përkatës.

– Klasifikimi i kandidatëve do të bëhet sipas rendit zbritës, sipas përllogaritjes në masën 70% të pikëve të notës mesatare të programit të studimit “Bachelor” dhe  në masën 30% të pikëve të intervistës së aplikantëve.

– Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin për zotërimin të paktën një nga gjuhët e huaja : Anglisht, Italisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Spanjisht sipas akteve nënligjore në fuqi.

 

Kriteret e pranimit të studentëve për programet e studimit të ciklit të tretë për vitin akademik 2019-2020 në Universitetin “Aldent”, të jenë si më poshtë:

–  Aplikojnë për një specializim afatgjatë në fushën e stomatologjisë, në profile Ortodonti dhe Kirurgji Orale , kandidatët të cilët duhet të kenë përfunduar studimet në ciklin e dytë të studimeve universitare me kohëzgjatje të paktën 5 vjeçare (300 ECTS), në programin e studimit “Master i Shkencave në Stomatologji” në Shqipëri ose ekuivalente me të jashtë vendit.

–  Kandidati duhet të ketë një notë mesatare të ponderuar mbi 7 (shtatë) për të gjithë periudhën e studimit. Llogaritja e notës mestare do të bëhet nga Sekretaria Mësimore e Fakultetit dhe do të konfirmohet nga një komision i posaçëm i ngritur me vendim të Rektorit të Universitetit “Aldent”. Në raste të vecanta, për mjekë stomatologë me eksperiencë, të cilët paraqesin pranë komisionit dëshmi të rasteve klinike dhe trajnime të mëparshme në fushën përkatëse, mund të pranohen me një notë nën këtë mesatare.

–  Për kandidatët që kanë mbaruar jashtë vendit, të cilëve ju njihet diploma dhe e drejta për ushtrimin e profesionit në këto vende, nota mesatare nuk përbën kriter pranimi.

–  Kandidatët brenda vendit duhet të kenë kryer me sukses provimin e shtetit konform ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe të kenë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit përkatës në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj (e njohur në Republikën e Shqipërisë).

–  Kandidatët nga trojet apo nga vendet e tjera duhet të kenë vërtetimin e njohjes së diplomës nga Ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë si dhe të kenë licensën profesionale të vendit nga vijnë.

–  Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin për zotërimin të paktën një nga gjuhët e huaja: Anglisht, Italisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Spanjisht sipas akteve nënligjore në fuqi.

–  Nuk mund të konkurojnë kandidatë që janë duke kryer njëkohësisht një program specializimi afatgjatë.