Universiteti "ALDENT"

Si ti ndihmojmë Vajzat të Mësojnë dhe Pëlqejnë Shkencat dhe Matematikën?

Si ti ndihmojmë Vajzat të Mësojnë dhe Pëlqejnë Shkencat dhe Matematikën?

      11 Shkurt 2018. Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Si ti ndihmojmë Vajzat të Mësojnë dhe Pëlqejnë Shkencat dhe Matematikën?

Studiuesit dhe specialistët e fushës së psikologjisë, pediatrisë së zhvillimit, sociolog japin disa këshilla për prindët si ti ndihmojnë vajzat të mësojnë dhe pëlqejnë: Matematikën dhe Shkencat. Qëllimi duhet të jetë të bëjnë matematikë dhe shkencë “të vërtetë” dhe kuptimplotë duke e vënë në dukje atë në botën që i rrethon. Kjo mund të përfshijë psh. kontrollin dhe krahasimin e çmimeve në dyqanin ushqimor, shikimin e numrave të rrugëve, shtëpive, leximin e recetave të kuzhinës, llogaritjen e kuponave, ose matjen e ushqimit apo pijeve në tryezën e darkës. Ashtu si e inkurajojmë të lexojë libra, revista, ti kërkojmë vajzës që të shikojë gjatë leximit se çfarë lidhet me matematikën, shkencën. Çdo prind e di se është një ide e mirë për ti lexuar fëmijës çdo natë, por gjithashtu duhet të kuptojë rëndësinë e të folurit çdo ditë për shkencën, apo situatat matematikore me fëmijët.

 

Në radhë të parë duhet të kujtojmë pse duam që vajzat tanë të jenë të mira në shkencë, teknologji, inxhinieri matematikë. Sigurisht, kemi nevojë për gjeni krijues që e bëjnë shoqërinë më të mirë: dikush ka për të kuruar kancerin, për të ndërtuar një antenë më të mirë telefonie celulare, për të zhvilluar energji të rinovueshme të lirë për të mbrojtur planetin tone, etj dhe femrat përbëjnë gjysmën e popullsisë së një vendi për të ndihmuar në këto zbulime. Mungesa e grave ne shkencë, teknologji, matematikë është një humbje sociale dhe ekonomike për një vend. Por inovacioni dhe rritja ekonomike është vetëm pjesë e ekuacionit. Fëmijët, pra si vajzat dhe djemtë duhet të mësojnë shkencat dhe matematikën për ta bërë më të mirë jetën e tyre kur të rriten, duke marrë vendime të mençura për çështjet rutine ditore, pra ekspertët thonë se jetojmë më të mençur kur kuptojmë numrat, shkencat e natyrës, teknologjinë.

Disa këshilla për të nxitur tek vajzat, dashurinë për shkencat dhe matmatikën që në moshë të hershme janë:

 

Lojërat që luhen me fëmijët e vegjël mund të ndikojnë në interesin e tyre për të mësuar matematikën dhe shkencën kur rriten. Duke u pwrballur me shumë fakte, problema, shifra për të mësuar përmendësh dhe për të aplikuar për problemet e matematikës, kimisë, etj vajzat mësojnë shpejt se shkenca, matematika, janë diçka që kërkon punë. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të jetë kënaqësi; mbani kënaqësinë për shkencat, matematikën duke luajtur lojëra me fëmijët. Fëmijët e vegjël janë të aftë të mësojnë koncepte të tilla si e madhe, e vogël, e lartë dhe e ulët, e shpejtë dhe e ngadaltë, e rëndë dhe e lehtë, etj. Duke i ndihmuar fëmijët të mësojnë këto koncepte, ju i ndihmoni ata të fillojnë të mësojnë rreth matematikës dhe shkencës.

Sipas ekspertëve të edukimit “fëmijët e vegjël janë matematikanë dhe shkencëtarë të natyrshëm” për shkak të kureshtjes së tyre dhe dëshirës së tyre për të eksploruar dhe eksperimentuar. Kur prindërit i nxisin vajzat të bëjnë pyetje dhe i ndihmojnë të eksplorojnë dhe zbulojnë botën që e rrethon, ata po ndihmojnë në ndërtimin e një interesi për matematikën dhe shkencën. Shumë ekspertë thonë se vajzat që kanë përvoja të tilla kur janë shumë të vogla zhvillojnë kënaqësi dhe besim në matematikë dhe shkencë që i ndihmon ata kur rriten.

Shumë lojëra, madje edhe ato që luajnë të rriturit, mbështeten në matematikë. Me faqet shumta në internet, lojërat kompjuterike dhe aplikacionet telefonike, prindërit kanë opsione të pafundme, por nuk duhen harruar edhe lojërat jo dixhitale që luanin vite mëparë. Lojrat klasike me letra, gurë domino, shah, matjet e rrugës, mund të japin të njëjtën kënaqësi për fëmijët. Një lojë me vlerë është loja mos u nxe. Disa studime të kryera në botë zbuluan se fëmijët që kishin luajtur këtë lojë përmirësonin aftësitë e matematikës në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me fëmijë të tjerë të cilët luanin një lojë të ndryshme që nuk kishte lidhje me matematikën, ose bënin detyra jo matematike.

  • Numëroni me fëmijën. Jepini vajzave shumë mundësi për t’u numëruar. Luani lojra numerike gjatë aktiviteteve të përditshme, si numërimi i hapave, numri i kamionëve që shihni gjatë shëtitjes, ose numërimi i sendeve që bleni në market. Lexoni kalendarin dhe përcaktoni numrin e ditëve deri në një ngjarje të ardhshme. Fëmijët e vegjël mund të llogarisin numrin e artikujve që keni blerë në dyqan. Nëse blini më shumë se 1 artikull (psh si 10 shishe uji), praktikoni numërimin me 2, 3, ose numra më të lartë. Nxisni vajzën të llogarisë ndryshimin e nevojshëm për të paguar për një artikull.
  • Shikoni vajzën për të kuptuar njohuritë e saja matematikore. Shikoni kur vajza llogarit: A e prek çdo objekt një herë? A është zëri saj në sinkronizim me numërimin që po bën? Kërkoni vajzës psh të shpërndajë biskota, ose lodra tek anëtarët e familjes, ku çdo person merr një numër të barabartë. Ndihmoni atë të njohë marrëdhëniet e formave dhe madhësisë. Në dyqanin ushqimor, kërkoni të gjejë sendet që janë me forma trekëndëshe, drejtkëndëshe, rrethore dhe forma të tjera. Kërkoni vajzës të njohë, ose të radhitë sendet ushqimore që keni blerë me forma enësh, ose ti organizoni sipas madhësisë. Organizoni një lojë ku ajo duhet të gjejë objekte me forma të ndryshme. Shikoni rreth shtëpisë për të gjetur grupe prej 2 objektesh, si 2 palë dorashka, çorape, etj. Shiko për grupet e 3, 4, dhe deri në 10-të. Kërkojini vajzës të ndihmojë të rendisni rrobat sipas kategorive të ndryshme psh. sipas ngjyrës, ose sipas kujt i takon sendi. Bëni matje për një projekt rreth shtëpisë.
  • Shkoni për një shëtitje me vajzën tuaj. Merrni kohë për të ndaluar përgjatë rrugës dhe për të parë gjërat që ajo vëren, të tilla si lule, kafshë, insekte, etj. Bisedoni me fëmijën për atë që shihni dhe pyeteni për atë që ajo sheh. Mblidhni objekte në natyrë – gjethe, guralec, guacka, etj. Kur të shkoni në shtëpi, zgjidhini ato sipas ngjyrës, madhësisë, ose llojit. Pyeteni sa kategori të ndryshme mund të gjeni? Sa objekte janë në më shumë se 1 kategori?
  • Vizatoni së bashku. Vizatoni një pamje të asaj që keni parë, nëse keni qenë shëtitje, atë që shihni para shtëpisë, në oborrin e shtëpisë, ose në dritaren tuaj. Kërkoni vajzës të vizatojë një bimë, një kafshë, ose një vend të preferuar dhe pastaj e pyesni t’ju tregojë rreth vizatimit.
  • Kthejeni një vizatim në një histori. Shkruani se çfarë thotë ajo për vizatimin që bëri. Kërkojini të krijojë një tregim për atë që pikturoi dhe ta ruajë bashkë me vepra të tjera artistike dhe tregime që ajo ka zhvilluar më parë.
  • Gatuani me fëmijën: Shkenca e ushqimit është eksperimenti më i mirë shkencor që mund të hahet! Vajzat mund të mësojnë kimi, të praktikojnë aftësitë e tyre të matematikës, të mësojnë anatominë e bimëve dhe mësimet e tjera të shkencës nga kuzhina. Edhe gjërat normale të përditshme si shpjegimi i asaj që ndodh kur uji vlon, pse ëmbëlsirat piqen, ose pse duhet të shkrini dhe shtoni gjalpin nëse dëshironi që embëlsirat të jenë të mira, janë mënyra për të shpjeguar shkencën pa u mërzitur.
  • Dëgjoni vajzën kur flet me ju dhe bëni pyetje rreth asaj që po sheh dhe bën. Fëmijët duhet të kenë kohë çdo ditë për t’i treguar një personi tjetër për atë që kanë parë, ose për atë që mendojnë. Kur i kërkoni asaj t’ju tregojë psh. për një shëtitje, ose një udhëtim në kopshtin zoologjik, në park, në market, etj, ju e inkurajoni të mendojë dhe zgjedhi fjalët.
  • Zgjidhni lodrat që i ndihmojnë vajzat të mësojnë shkencën. Fëmijët e vegjël mësojnë rreth botës kryesisht duke luajtur. Si rezultat, ata kanë nevojë për lodra që i inkurajojnë të imagjinojnë dhe të eksplorojnë, të cilat nuk janë domosdoshmërisht ato që reklamohen në televizion, apo shiten në dyqane të shtrenjta. Disa lodra janë më të mira të nxisin fëmijët për të përdorur mendjet e tyre. Jepini djemve dhe vajzave lodra që i bëjnë ata të mendojnë. Thyeni mitin e zgjedhjes së lodrave vetëm për vajza, (kukullat, shtëpitë, etj) dhe lodrat vetëm për djemtë, (makina, revole uji), etj. Lodrat nuk duhet të jenë të shtrenjta, por të jenë të thjeshta, të sigurta dhe afatgjata. Disa ide për lodra përfshijnë:

*Topat. Ata mund të kërcejnë, të rrokullisen, të hidhen në ajër, në bar, ose në trotuar. Kush e hedh më lart? Më ulët? Cilat zhyten në ujë? Cilat notojnë?

*Blloqe. Blloqet e ndërtimit mund të jenë një lodër shumë e mirë për matematikën dhe shkencën sepse ndihmojnë fëmijët të mësojnë rreth inxhinierisë, gjeometrisë. Ju ose mund të blini blloqe prej druri, plastike, kartoni, ose mund të bëni vetë psh nga kartonat e vezëve, kuti drithrash, ose kartone të tjera me ushqime. Për fëmijët e vegjël, duhet të sigurohemi që blloqet janë mjaft të mëdha për ti kapur lehtë dhe mos ti fusin në gojë. Lojrat me blloqet e LEGO-s mund tju tregonë se ndoshta keni një inxhiniere, apo një koduese të ardhshme. Në internet mund të gjenden sugjerime pa fund për lodrat e matematikës, shkencës dhe mund të keni akses në shumë aplikacione për t’i mësuar fëmijët teknologjitë e informacionit. Prindët dhe vajzat e vogla gjithashtu mund të joshen nga eksperimentet e shkencës argëtuese të modës së vjetër si psh të bëjnë llampa me ngjyra, ose të shikojnë se çfarë ndodh kur kombinojmë sode buke dhe uthull. Kur po bëni diçka vetë psh po vendosni në punë një pajisje elektroshtëpijake të blerë, lereni të jetë vajza asistentja juaj i teknologjisë dhe informacionit. Nxisni vajzën për të lexuar manualin dhe të vej në punë një teknologji të re në familje, ose për të zgjidhur një problem me kompjuterin tuaj.

* Mozaikët. Mozaikët i ndihmojë fëmijët të mësojnë për të zgjidhur problemet, si dhe të mësuar rreth formave, madhësive dhe ngjyrave. Për vajzat e vogla, sigurohuni që mozaiku të jetë në pjesë të mëdha. Ju mund të bëni mozaikun vetë duke ngjitur një foto të revistës në një copë kartoni, pastaj duke e prerë atë në pjesë të mëdha. Ose bëni një mozaik me një nga vizatimet e fëmijës duke e prerë atë në copa. Ndërsa fëmijët rriten, mund të bëjnë mozaiqe më të vështira.

 

  • Mbillni një kopsht me vajzën tuaj. Mbjellja e një kopshti, të çdo madhësie, është një aktivitet i mirë familjar. Një kopsht mund të jetë një copë toke në oborr, apo një vazo në ballkon, enë në prag të dritares dhe në të ka mësime të matematikës dhe shkencës. Matni hapësirën e kopshtit, ose enës, përcaktoni se ku bimët do të marrin dritën e diellit, zbuloni se sa fara do të duhen, numëroni farat, masni rreshtat, shikoni si bimët rriten dhe tregoni rritjen e tyre, zgjidhni perimet, kërkoni insektet dhe mësoni se çfarë duan bimët që të jenë të shëndetshme.
  • Lexoni vajzës. Lexoni libra me zë të lartë çdo ditë. Shikoni librat, figurat dhe flisni për atë që shihni. Librat e alfabetit dhe të numërimit janë gjithnjë të mira dhe do të përjetoni një ndjenjë krenarie ndërsa shikoni vajzën që mëson nga to. Planifikoni një kohë të rregullt për të shkuar në bibliotekën e shkollës, bibliotekën publike, ose librarinë. Kërkoni vëllezërve, motrave, hallës, xhaxhait, gjyshërve etj, t`ju ndihmojnë për ti lexuar vajzës histori. Kërkoni asaj të lexojë nëse dëshiron, apo t’ju tregojë një histori të bazuar në figurat në libër.
  • Monitoroni shikimin e TV. Fikni televizorin dhe kufizoni shikimin. Të shikuarit e shumtë në TV pakson kohën për aktivitetet e tjera. Shumë ekspertë kanë treguar se fëmijët që bëjnë aktivitete të ndryshme dhe shikojnë pak TV zakonisht shkojnë më mirë në matematikë dhe shkencë në shkollë. Kur e lejoni vajzën të shikojë TV, kërkoni për programe edukative cilësore dhe së bashku shikoni, diskutoni programe për ta ndihmuar të formojë mënyrën e reflektimit kritik për atë që pa.
  • Ekspozoni vajzat ndaj modeleve, roleve të shkencëtarëve femra. Shumica e vajzave që mbajnë interesin e tyre në matematikë dhe shkencë përmes shkollës së mesme ja atribuojnë interesin e tyre një marrëdhënie me një anëtar të familjes, ose mik i cili ishte i përfshirë në shkencë. Biografitë e grave shkencëtare dhe matematikane të famshme në fusha të ndryshme mund të nxisin dhe mbeshtesin vajzat tuaj për tu përfshirë në shkenca, teknologji, matematikë, inxhinieri, etj. Vajzat duhet të shohin njerëz nga një sërë sfondesh që punojnë në këto fusha. Mediat i ndihmojnë fëmijët për botën rreth tyre. Vajzat e përvetësojnë atë që shohin në TV dhe në filma, rrjetet sociale. Sigurohuni që ato shohin modele roli që rrjedhin nga të gjitha sferat e jetës. Ato duhet të shohin si femrat arrijnë suksese në shkencat dhe teknologjinë, matematikën dhe inxhinierinë për të besuar se edhe ata mund ta bëjnë këtë.
  • Lavdëroni procesin. Sipas psikologëve, vajzat shpesh i lenë subjektet e shkencës dhe matematikës, sepse mendojnë se nuk janë të zgjuara, nuk janë “njerëzit e matematikës“, ose matematika dhe shkenca janë shumë të vështira. Por prindërit mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmijët i perceptojnë subjektet e shkencës dhe matematikës nga mënyra se si i lavdërojnë ata. Specialistët thonë se ata (prindërit) shpesh lavdërojnë më shumë aftësinë, talentin, ose inteligjencën e fëmijës. E kundërta e kësaj është lavdërimi i procesit të mirë. Ky është lavdërimi për procesin, aktivitetin ku fëmija angazhohet-në punën e tij të vështirë, duke u përpjekur me shumë strategji, perqëndrim, këmbëngulje, përdorimin e gabimeve për të mësuar, përmirësuar. Pra kur fëmija përfshihet në disa nga aktivitetet e thjeshta të zgjidhjes së problemeve në detyrat e shtëpisë në matematikë, lavdëroni procesin. Mjafton të thoni psh “E mbarove, bravo ma shpjego pak si e bëre këtë…”
  • Vlerësoni zgjedhjet e saj. Vajzat shkëlqejnë dhe tregojnë interes në shkencat biologjike, por shpesh nuk e kuptojnë se këto disiplina janë po aq shkencore sa shkencat e vështira të fizikës dhe kimisë. Botanistët, zoologët, biologët detarë dhe gjeologët janë të gjithë shkencëtarë. Inkurajoni vajzën tuaj të mendojë për kopshtarinë, duke u kujdesur për kafshët dhe interesat e tjera të ngjashme si përpjekje shkencore.
  • Prishni stereotipet. Shumica e vajzave humbin interes në matematikë dhe shkencë për shkak të presionit që të përputhet me pritshmëritë e caktuara sociale. Inkurajoni vajzën të bëj duart e saj të pis duke luajtur me bretkosa, ose duke eksploruar qarkun elektrik. Përgjigjuni dëshirës së vajzës për tu marrë me shkencën ashtu siç plotësoni dëshirën e saj për të pikturuar, ose luajtur muzikë dhe e përgëzoni për arritjet. Le të zgjedhë interesat e vet dhe shkoni pranë për ta ndihmuar atë të rregullojë biçikletën e saj, ose të studiojë krimbat, llogarisi sipërfaqen e shtëpisë.

Punoi: Dr. Sh. Nedime CEKA, Fakulteti Shkencave Mjekësore Teknike, UNIVERSITETI ALDENT

Posted in: qendra e promovimit te shendetit

Leave a Comment (0) ↓