Universiteti "ALDENT"
Biblioteka

Biblioteka e Unversitetit “Aldent”

Biblioteka e Universitetit “Aldent (UAL), e ngritur në kampusin kryesor pranë TEG-ut, ka një sipërfaqe mbi 400 m2 dhe një numër të konsiderueshëm poste leximi (75 të tilla) në shërbim të stafit akademik dhe të studentëve të universitetit. Ka një infrastrukturë moderne dhe kushte shumë të mira pune sipas standardeve ndërkombëtare. Që nga krijimi saj e deri sot biblioteka e universitetit tonë eshtë pasuruar në mënyrë të ndjeshme përmes blerjes së librave dhe dhurimit të tyre nga uiversitete amerikane si motra apo nga personalitete të ndryshme të fushës së mjekësisë. Biblioteka ka një fond prej 20,000 vëllimesh, kryesisht në gjuhën angleze. Rreth 80% e monografive dhe e revistave, të botuara kryesisht pasviteve 2000, janë tërësisht mjekësore dhe trajtojnë probleme të ndryshme të kësaj fushe. Një pjesë e konsiderueshme e materialeve bibliotekare trajtojnë probleme të farmacisë e të mjekësisë si anatomia e njeriut, fiziologjia dhe mikrobiologjia mjekësore, kardiologjia, hematologjia, gastroenterologjia, endokrinologjia, urologjia, obstetrika dhe gjinekologjia, neurologjia e psikiatria, kirurgjia etj. Një pjesë tjetër i takon stomatologjisë dhe degëve të saj si, dentistri restorative e preventive, periodontologji, endodonti, ortodonti, dentistri pediatrike, kirurgji e implantologji dentare dhe protetikë. Në përputhje me programin mësimor biblioteka ka edhe libra të fushave të tjera si, psikologji, shkenca shoqërore, shkenca të natyrës (fizikë, kimi, biologji, mikrobiologji etj., kryesisht tekste për studentët e mjekësisë), teknologji informacioni, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, manuale si të shkruajmë një ese apo një temë diplome etj. Biblioteka u mundëson studentëve edhe libra filozofikë, historikë, letërsi artistike, kryesisht anglisht, si dhe shfrytëzimin e një numri të konsiderueshem enciklopedish e fjalorësh, veçanërisht të fushës së mjekësisë. Kohët e fundit blioteka e UAL-it, është pasurur edhe me një fond librash në anglisht ( mbi 3000 të tillë), të botuara vitet e fundit, kryesisht mjekësorë, por edhe të degëve bazë të mjekësisë si, kimi, biologji, mikrobiologji, gjenetike për t’u përdorur nga stafi akademik dhe studentët e universitetit. Këto vëllime janë traktate dhe manuale mbi shërbimin dhe kujdesin infermieror në përgjithësi, por edhe për kujdesin dhe shërbimin infermieror në degë të veçanta të mjekësisë si, në patologji, kardiologji, hematologji, pediatri, geriatri, kirurgji, neurologji, psikiatri, obstetrike dhe gjinekologji etj. Një pjesë e tyre trajtojnë probleme të fizioterapisë dhe terapinë e sëmundjeve të ndryshme me anë te dietave, të psikoanalizës, të sugjestionit, kineziologji, ergoterapi, elektroterapi etj. Një numër tekstesh të këtij fondi i përkasin imazherisë dhe laboratorit mjekësor. Ne fondin e bibliotekës së UAL-it ruhen temat e diplomave të studentëve të stomatologjisë dhe të farmacisë si dhe diplomat e studentëve të masterit shkencor në infermieri, fizioterapi apo teknik laboratori mjekësor. Në këtë fond ruhen edhe materialet e konferencave shkencore që organizon universiteti. Përveç shërbimit, përpunimit bibliografik të librave dhe pasurimit me tituj të rinj, biblioteka ka edhe funksionin e pastrimit të fondit të saj nga titujt e vjetëruar apo librat e dëmtuar. Ajo ka marredhënie edhe me bibliotekat e tjera universitare ose jo të vendit.

Librat dhe revistat janë të vendosura në rafte sistematikisht, sipas 10 degëve të shkencës (nga 0 deri në 9) dhe brenda degës janë renditur sipas tre gërmave të para të mbiemrit të autorit apo të titullit të veprave, kur ato s’kanë autor. Ato janë të pajisura me numrin e inventarit që është progresiv. Biblioteka është me fonde të hapura dhe pëdoruesit e bibliotekës kanë mundësi të marrin informacion drejtpërsëdrejti nga raftet e librave. Materialet bibliotekare (libra e revista) janë përpunuar sipas standardeve ndërkombëtare të katalogimit bibliotekar si: ISBD (International Standard of Bibliographic Description), ACR2 (Amerikan Cataloging Rules 2), KDU (Klasifikimi Decimal Universal) dhe tezauri ose tabela e emërtimeve lëndore. Biblioteka është e automatizuar. Librat regjistrohen në katalogun elektronik sipas një programi që mundëson shkëmbimin e informacionit edhe me biblioteka të tjera të vendit e jashtë tij. Meqenëse pëpunimi i materialeve bibliotekare bëhet sipas rregullave ndërkombëtare të katalogimit bibliografik, konvertimi i të dhënave bibliografike në një program më të avancuar është plotësisht i mundur. Për këtë jemi duke punuar.

Nga 11 kompjuterat e sallës së bibliotekës, të lidhur në rrjet, studentët dhe stafi akademik i UAL-it mund të shfrytëzojnë katalogun tone OPAC (OnlinePublic Access Catalog) apo katalogun e bibliotekës “Hinari” për të marrë informacionin e dëshiruar. Studentët mund të përgatisin edhe projekte të ndryshme në përputhje me programin mësimor. Kërkimi i materialit mund të bëhet me titull, nëntitull, autor, fjalë kyçe, shtëpi botuese etj.

Punonjësja e bibliotekës, e kualifikuar dhe me përvojë të gjatë në fushën e bibliotekonomisë, përpunon dhe regjistron në katalogun elektronik materialet bibliotekare. Shërben dhe huazon librat sipas një rregulloreje të miratuar nga Bordi Drejtues i Universitetit. Librat që huazohen, regjistrohen në kartelat e lexuesve. Këto kartela i administron biblioteka. Politika e universitetit është pasurimi i mëtejshëm i bibliotekës me blerje apo donacione të ndryshme. Në planet tona të afërta është edhe implementimi i një program me te perparuar per katalogimin elektronik te materialeve bibliotekare si dhe për qarkullimin e materialeve bibliotekare të huazuara, që do të realizohet në bashkëpunim me Departamentin e Teknologjisë së Informacionit.

Kliko ketu per te hyre ne Bibloteken e shkolles.