DITA BOTËRORE E ASTMËS

DITA BOTËRORE E ASTMËS

DITA BOTËRORE E ASTMËS

2 MAJ 2018

 “Nuk është kurrë herët, Nuk është kurrë vonë.

Është gjithmonë koha e duhur për të trajtuar sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes

Dita Botërore e Astmës është një ngjarje vjetore që organizohet çdo vit të martën e parë të muajit Maj nga Iniciativa Globale për Astmën (GINA) në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të përmirësuar vetëdijen dhe kujdesin për astmën në të gjithë botën. Iniciativa Globale për Astmën (GINA) është një organizatë mjekësore e cila punon me punonjësit e shëndetësisë publike dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor në nivel global për të zvogëluar prevalencën, sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e astmës

Dita e parë Botërore e Astmës u festua në vitin 1998 për të përkuar me Takimin e parë të Astmës Botërore të mbajtur në Barcelonë, Spanjë. Që atëherë konsiderohet si një ngjarje e madhe dhe mbahet në të gjithë botën për të edukuar dhe përmirësuar jetën e njerëzve të prekur nga kjo gjendje. Tema për Ditën Botërore të Astmës vendoset çdo vit nga GINA.

GINA këtë vit shënon Ditën e 20-të Botërore të Astmës në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Tema e Ditës Botërore të Astmës këtë vit është “Nuk është kurrë herët, nuk është kurrër vonë. Është gjithmonë koha e duhur për të trajtuar sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes”. Tema e zgjedhur u bën thirrje të pacientëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor që të marrin në konsideratë dhe vlerësojnë simptomat, pavarësisht nga koha kur ato ndodhin. Ideja është që të sigurohet që astma të kontrollohet dhe të parandalohet në të gjitha mënyrat e mundshme.

 Faktet Kryesore

  • Astma është një nga sëmundjet kryesore jo të komunikueshme, kronike e rrugëve ajore të mushkërive që i inflamon/pezmaton dhe i ngushton ato.
  • Rreth 235 milionë njerëz aktualisht vuajnë nga astma. Astma është e njohur të jetë një nga kushtet shëndetësore më kronike tek fëmijët.
  • Shumica e vdekjeve të lidhura me astmën ndodhin në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme. Sipas vlerësimeve të fundit të OBSH, të nxjerra në dhjetor 2016, në vitin 2015 kishte 383 000 vdekje për shkak të astmës.
  • Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë substancat e thithura dhe grimcat që mund të shkaktojnë reaksione alergjike ose irritojnë rrugët e frymëmarrjes, alergjenët e ambientit jetësor dhe të disa lloje ushqimesh,
  • Në vendet e zhvilluara sot 1 ne 4 fëmijë sot vuan nga Astma, 10-20% nga dermatiti atopik e rrufa alergjike prek nga 10-40% të popullatës.
  • Të gjitha vendet kanë popullata që vuajnë nga astma, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit në atë vend. Megjithatë, rreth 80% e vdekjeve të astmës ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare
  • Medikamentet mund të kontrollojnë astmën.
  • Menaxhimi i duhur i astmës mund t’u mundësojë njerëzve të gëzojnë një cilësi të mirë të jetës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Astma Bronkiale është e renditur në vendin e 6 të sëmundjeve kronike duke u bërë kështu një barrë për individin (adultë e fëmijë), për familjen e ekonominë, Gjithashtu të dhënat tregojnë se po evidentohen rritje të dukshme e sëmundjeve alergjike në moshën e fëmijërisë dhe në adoleshentë më shumë sesa në grupmoshat e tjera, e cila përveç problemit të madh shëndetësor ka dhe një kosto të madhe ekonomike dhe sociale

 

Rritja e prevalencës së sëmundjeve alergjike në përgjithësi dhe i astmës alergjike në veçanti janë bërë shkak i rëndësishëm i mungesave në shkollë e punë, shpenzimeve shumë të larta për kujdesin shëndetësor. Për një rritje të tillë është akuzuar edhe stili modern jetesës, pasi popullata urbane po rritet dhe banoret janë nën ndikimin e ndotjes së ajrit nga djegia e karburantit të makinave. Ata jetojnë në zona ku ka dendësi të lartë popullate, të cilat në mjaft raste krijojnë një mikroklime mjaft të favorshme për rritjen e pluhurit të shtëpisë, apo të myqeve.

 

Sipas të dhënave të specialistëve alergolog të QSUT në vitin 1997 në Shqipëri rezultonte e prekur nga astma vetëm 3 për qind e popullatës, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 13 për qind.

Ky ndryshim tregon se sëmundja është rikthyer dhe po përhapet me ritme shumë të shpejta, çka kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Moshat pediatrike janë më të rrezikuarit dhe gjithmonë e më shumë të prekur nga astma, ku një 1 në 4 fëmijë vuan nga astma bronkiale. Shkak për këtë rritje të shpejtë të numrit të prekurve pohohet të jetë stili i jetesës, ku mbizotëron lagështira, ndotja, pirja e duhanit, konsumi i produkteve me stimulues, të cilat nxisin shfaqjen e këtyre patologjive të rrezikshme për organizimin e njeriut. Mjekët sqarojnë se me problematike mbeten ndërrimet e mjekimeve që pacientët i bëjnë shpesh herë me kokën e tyre, çka nuk jep efekt në trajtimin e tyre. Vëzhgimet e bëra nga mjekët tregojnë se në përgjithësi pacientët këto sëmundje i mjekojnë në mënyrë shumë të keqe. Astma nuk është e shërueshme, por duhet të mbahet nën kontroll. Në Shqipëri 80 për qind e medikamenteve për trajtimin e saj janë me rimbursim.

Çfare është Astma?

Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes. Ajo karakterizohet nga simptoma të ndryshueshme dhe të përsëritura si mbajtje fryme, fishkëllima, shtrëngim kraharori dhe kollë Këto episode mund të ndodhin disa herë në ditë ose disa herë në javë dhe veçanërisht natën. Është një patologji që prek të gjitha moshat. Megjithëse astma nuk mund të shërohet ajo mund të trajtohet dhe të kontrollohet. Me trajtimin e duhur kontrollli i Astmës arrihet nga pjesa më e madhe e pacientëve astmatikë. Astma quhet e kontrolluar kur pacienti:

  • Nuk ka simptoma të astmës;
  • Nuk ka zgjime natën për shkak të krizave të astmës;
  • Nuk ka nevojë të përdorë mjekim lehtësuese në krizë;
  • Mundësia për të bërë një jetë normale dhe për t’u marrë me aktivitet fizik;

 

Kush e shkakton astmën?

Nuk ka asnjë arsye të qartë për shfaqjen e astmës, por ekzistojnë aspekte të ndryshme që mund të shkaktojnë zhvillimin e astmës. Këtu janë disa nga shkaqet e zakonshme të saj:

  • Gjenetika: Gjenet ndikojnë shumë në zhvillimin e astmës në një person. Nëse prindërit ose të afërmit parësorë kanë astmë, ose sëmundje të tjera alergjike, ka një shans të madh për ta kaluar atë në gjeneratën e ardhshme.
  • Mjedisi: Besohet se ekspozimi ndaj alergeneve, irrituesve dhe pluhurit nga mjedisi mund të predispozojë një person për zhvillimin e astmës, sidomos tek foshnjat pasi ato ende kanë një sistem imuniteti të papjekur.
  • Alergenet: Ndjeshmëria ndaj alergeneve të caktuara si: substancat e thithura dhe grimcat që mund të shkaktojnë reaksione alergjike, ose irritojnë rrugët e frymëmarrjes, alergjenët e ambientit jetësor dhe të disa llojeve të ushqimit, (pluhuri i shtëpisë, ku gjendet një lloj tenje e quajtur akarien) mund të rezultojë në shfaqjen e astmës

Shenjat e Astmës

Shenjat paralajmëruese të hershme janë ndryshimet që ndodhin pak para ose në fillim të një ataku astmatik. Këto shenja mund të fillojnë para simptomave të njohura të astmës dhe janë shenjat më të hershme që astma po përkeqësohet. Në përgjithësi, këto shenja nuk janë aq të rënda sa pacienti duhet të mos bëj aktivitetet e përditshme.

Por, duke njohur këto shenja, mund të parandalosh një atak astmatik, ose ta pengosh që të keqësohet. Shenjat paralajmëruese të astmës përfshijnë:

Kollë e shpeshtë, veçanërisht gjatë natës; Pengesë në frymëmarrje ose frymëmarrjajo e plotë; Ndjehesh shumë i lodhur ose i dobët kur bën aktivitet fizik; Vështirësi ose kollitje gjatë aktivitetit fizik; Ndjehet i mërzitur, ka ndryshime humori; Shenjat e një ftohjeje, ose alergjie (teshtimë, hundë të rrjedhshme, kollë, hundë me sekrecione, dhimbje të fytit dhe dhimbje koke); Probleme me gjumin

 

Shenjat e një ataku/sulmi astmatik

Një atak astmatik është episodi në të cilin muskujt që rrethojnë rrugët e frymëmarrjes ngushtohen. Ky ngushtim quhet bronkospazmë. Gjatë atakut, shtresa e brendëshme e rrugeve të frymëmarrjes fryhet, pezmatohet dhe qelizat e rrugëve të e frymëmarrjes prodhojnë më shumë mukus dhe më të trashë. Të gjithë këta faktorë (bronkospazma, inflamacioni dhe prodhimi i mukusit) shkaktojnë simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, frymëmarrje me fishkëllina, kollitje, gulçim dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve normale ditore. Simptoma të tjera të atakut të astmës përfshijnë:

Frymëmarrje dhe frymënxjerrje  e rëndë me fishkëllim; Kollitja pa pushim; Frymëmarrje shumë e shpejtë; Dhimbje ose shtypje në gjoks; Shtrëngimi muskujve të qafës dhe të gjoksit, e quajtur tërheqje ndërbrinjore; Vështirësi për të folur; Ndjenja e ankthit ose panikut; Fytyrë e zbehtë, e djersitur; Buzët ose thonjtë blu

Ashpërsia e një sulmi të astmës mund të përshkallëzohet shpejt, prandaj është e rëndësishme që këto simptoma të astmës të trajtohen menjëherë sapo të shfaqen

 

Faktorët që mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë simptomat e astmës përfshijnë

infeksionet virale, alergenet e brendshme të shtëpisë ose profesionale (p.sh., akarienet e pluhurit shtëpiak, pollenet, pluhuri i disa luleve, qimet e bagëtive, puplat, pluhuri kur i pastrojmë rrobat me furçë, etj), tymi i duhanit, aktiviteti fizik, stresi. Disa barna mund të nxisin ose shkaktojnë astmë, p.sh. beta-bllokuesit (atenolol, metaprosol, etj), aspirina, ose barnat antiinflamatore jo steroidale (psh ibuprofeni, naproxeni, etj) të tjera.

 

Ndotësit e ajrit dhe Astma

Ndotësit më të rrezikshëm janë ata që vijnë nga burime industriale dhe makinat sepse në bashkevëprim me rrezatimin diellor formojnë ozonin i cili është nje gaz qe behet shkak i shperthimit te krizave te astmës dhe keqësimin e të semureve me astmë. Ozoni irriton aparatin e frymëmarrjes dhe pakson funksionin pulmonar kështu rëndon astmën dhe semundjet e tjera kronike të mushkërive. Por ka edhe disa gazra ndotës të tjerë të cilët ndikojnë në këtë semundje sic janë dioksidi i squfurit, oksidet nitrike etj.

 

Astma dhe Ushqyerja

Njerëzit që kanë astmë rekomandohet që të kenë një dietë ushqyese që mund të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes së tyre, si dhe shëndetin e tyre të përgjithshëm. Një konsumim i përditshëm i një diete të shëndetshme të pasur me proteina, fruta dhe perimem, të kombinuara me aktivitetin fizik të duhur mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në njerëzit me astmë.

 

Ushqime të rekomanduara për personat me astmë

  1. Ushqime të pasura me beta karotene (që është një formë e Vitaminës A mund të konsiderohen e mirë për njerëzit që vuajnë nga astma. Burimet e beta carotene përfshijnë karrota, kungulli verdhë, patate të ëmbla, pjepër, spinaqi, perimet me gjethe jeshile, brokoli, frutat me ngjyrë të verdhë si pjepri, etj.
  2. Vitamina D është një kërkesë thelbësore për personat që vuajnë nga astma. Ushqimet e pasura me vitaminë D mund të zvogëlojnë incidencën e sulmeve astmatike tek fëmijët. Qumështi, lëngu i portokallit, vezët dhe salmoni janë burime të mira të vitaminës D.
  3. Bananet njihen se përmirësojnë frymëmarrjen dhe funksionimin e mushkërive. tek fëmijët Përmbajtja e antioksidantit dhe kaliumit në banane i bën ato të mira për njerëzit që kanë astmë.
  4. Mollët janë të mira për njerëzit që vuajnë nga astma pasi përmirësojnë funksionimin e mushkërive.
  5. Magnezi është një mineral tjetër që nevojitet për njerëzit që vuajnë nga astma. Çokollata e zezë, spinaqi, fara e kungujve dhe salmoni janë të gjitha burime të mira të magnezit.

 

Ushqime për tu shmangur nga personat me astmë

  1. Njerëzit astmatikë duhet të shmangin të hajnë shumë ushqime në një vakt, ose ushqime që shkaktojnë gazra. Kjo është për shkak se ato ushtrojnë presion mbi diafragmën dhe përkeqësojnë frymëmarrjen. Kjo është veçanërisht për njerëzit që kanë reflux acid. Ata mund të shkaktojnë sulme të astmës dhe ngushtimnë gjoks. Fasule, lakra, ushqime të skuqura, pije të gazuara, janë ushqime për të shmangur nga personat me astmë.
  2. Njerëzit që kanë astmë duhet të shmangin ushqimet e përpunuara industrialisht, meqenëse ato përmbajnë konservant dhe shtesa të shijes.
  3. Konservantët si sulfitet janë të dëmshme për njerëzit që kanë astmë. Frutat e thata, vera, karkalecat limoni që tregtohet ne shishem dhe turshitë duhet të shmangen nga njerëzit që kanë astmë.
  4. Disa njerëz me astmë mund të jenë të ndjeshëm ndaj salicilateve që gjenden në disa erëza, çaj dhe kafe.
  5. Njerëzit astmatikë që kanë alergji ushqimore duhet të shmangin shkaktarët më të shpeshtë si produktet e qumështit, grurit dhe arra.

 

Astma dhe obeziteti janë të lidhura

Tashmë njihet se obeziteti është një nga faktorët kryesorë të rrezikut që mund të shkaktojnë astmë. Për më tepër, astma është më e rëndë dhe e vështirë për t’u trajtuar në njerëz mbi peshë. Prandaj, ngrënia e një diete të ekuilibruar dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në trajtimin e astmës

 

Disa këshilla për personat me astmë

Aktualisht nuk ka shërim për astmën, ndonëse simptomat mund të kontrollohen nga medikamente të tilla si steroidet dhe bronkodilatatorët, qoftë me gojë ose si inhalatorë. Ndërgjegjësimi për gjendjen mund të ndihmojë të zvogëlojë, ose edhe parandalojë vuajtjen nga një sulm i astmës. Ndjekja e një plani veprimi mund të jetë ndihmëse në zvogëlimin e ashpërsisë dhe frekuencës së sulmeve. Disa nga masat që rekomandohet përfshijnë:

 

  • Shmangni shkaktarët e njohur si tymi, pluhuri, poleni, të ftohtit dhe irrituesit
  • Qëndroni në ambiente të mbyllura gjatë lagështisë dhe ndryshimit të stinëve
  • Mos përdorni ventilator në vende të mbyllura dhe me pluhur
  • Mbuloni dyshekët dhe jastëkët me mbulesa plastike.
  • Merrni rregullisht ilaçet e astmës
  • Mbajini medikamentet dhe inhalatorët me vete sa herë që udhëtoni
  • Mësoni të kuptoni shenjat e një ataku astmatik në fazën e hershme dhe të merrni masa menjëherë
  • Ushtrimet e frymëmarrjes mund të ndihmojnë në reduktimin dhe madje parandalimin e sulmeve të astmës nëse ndiqen rregullisht
  • Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.
  • Të sëmurët që kanë kollë rekomandohet të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë
  • Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve. Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve 
  • Dhoma e të sëmurëve me astmë duhet të jetë e thjeshtë me pak orendi, të përdoret fshesa me korent. Në astmën nga polenet duhet mbyllja e dritareve.
  • Mosdalja në ambjente me gjelbërim në orët e ngrohta të ditës, ul simptomat.
  • Gjithashtu këshillohet të shmanget eforti fizik.

Si të përballoni një sulm astmatik

Çfarë duhet të bëni nëse nuk keni një inhalator/pompë në momëntin e atakut

  • Ulu drejtë.
  • Kontrollo orën. Zakonisht sulmi astmatik zgjat rreth 10 minuta
  • Merrni frymë të gjatë dhe të thellë për të shmangur hiperventilimin.
  • Mos u frikësoni, kjo vetëm do të përkeqësojë situatën tuaj dhe do të shtrëngojë më tej muskujt e gjoksit tuaj.
  • Largohuni nga çdo lloj tymi, pluhuri ose thithja e çdo lloj kimikati.
  • Pini një pije të nxehtë me kafeinë, pasi kjo do të ndihmojë në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes.
  • Nëse nuk ka lehtësim të frymëmarrjes dhe kollitjes, apo kanë kaluar 15 minuta thërrisni urgjencën.

Çfarë duhet të bëni nëse keni pompën me inhalacion që ju ka rekomanduar mjeku

  • Ulu drejtë.

 

  • Shtypni pompën dhe merrni frymë nga inhalatori/pompa juaj.
  • Prisni 4 minuta për t’u rikuperuar. Nëse nuk ka shërim, bëni një shtypje tjetër të pompës dhe merrni frymë përsëri nga ajo.
  • Nëse marrja e frymës vazhdon mbi 15 minuta, thërrisnii urgjencën.

Punoi: Nedime Ceka

Fakulteti Shkencave Mjekësore Teknike UAL

Referenca:

World Asthma Day | Global Initiative for Asthma – GINA

World Asthma Day 2018: Everything You Need To Know About this; CDC – World Asthma Day – Asthma Aëareness Toolkit

Asthma – World Health Organization

Food as an asthma trigger | Asthma UK. Asthma diet: Does what you eat make a difference? – Mayo Clinic;

Posted in: qendra e promovimit te shendetit

Leave a Comment (0) ↓